Dr. Vitor Caldeira, reformator i shquar i sistemit të llogaridhënies në BE nga Bujar Leskaj

21.11.2019

Shkrimi është botuar në gazetwn MAPO  të datës 20 nëntor 2019.

Gjykata Evropiane e Audituesve (ECA), struktura përgjegjëse për kontrollin dhe auditimin e fondeve dhe programeve të Bashkimit Evropian për Shtetet e tij Anëtare dhe për vendet kandidate e aspirante për t’u anëtarësuar në BE, konsiderohet një nga pesë institucionet themelore të Evropës së Bashkuar, së bashku me Parlamentin Evropian, Këshillin e Evropës, Komisionin Evropian dhe Bankën Qendrore Evropiane. Nën drejtimin e një personaliteti si Dr. Vítor Manuel da Silva Caldeira, i zgjedhur për tre herë radhazi (2008-2017) si Kryetar i Gjykatës Evropiane të Audituesve (ECA), ky institucion ka vepruar si një ruajtës, gardian i pavarur i interesave financiare të qytetarëve të Bashkimit Evropian. Me kalimin e viteve, Gjykata provoi të jetë një gardiane tejet profesionale dhe thellësisht e bindur në misionin dhe vlerat e saj. Çdo vit, ECA kontrollon dhe auditon shpenzimin me ekonomicitet, efektivitet dhe efiçiencë të buxhetit të BE-së, në nivel të mbi 140 miliardë euro, ose rreth 285 euro për çdo qytetar të komunitetit, si fonde dhe programe të përbashkëta të Bashkimit Evropian.

xx

Kush është Dr. Vitor Caldeira

Dr. Caldeira është një personalitet i shquar në komunitetin e auditimit suprem publik evropian e më gjerë. Ai u diplomua në drejtësi nga Universidade Clássica (Universiteti Klasik) në  Lisbonë dhe kreu studimet pasuniversitare në Institutit e Studimeve Evropiane të Fakultetit të Drejtësisë, Universidade Clássica, në Lisbonë. Gjatë viteve 1983-1999, ai dha mësim në Fakultetin e Drejtësisë, Universidade Clássica, Lisbonë dhe në Institutin e Lartë të Profesioneve të Reja. Dr. Caldeira punoi në Inspektoratin e Përgjithshëm të Financave të Komisionit Evropian, ku shërbeu si Inspektor i Financave dhe Drejtor gjatë periudhës 1989-1995. Pastaj u bë Zëvendës-Inspektor i Përgjithshëm i Financave gjatë 1995-2000, duke mbuluar koordinimin e auditimeve të BE-së dhe sistemin e kontrollit të brendshëm të Administratës Financiare Shtetërore, me përgjegjësi për detyrat e mëposhtme:

• nxitjen dhe koordinimin e punës së Inspektoratit të Përgjithshëm të Financave për auditimin financiar të burimeve të BE-së, Fondin e Garancive EAGGF, Fondet Strukturore dhe Fondin e Kohezionit të BE;
• koordinimin e ekipit të projektit që prodhoi "Letrën e Bardhë mbi sistemin e kontrollit të brendshëm të administratës financiare të shtetit";
• kryesimin e Komitetit Ndërministror për Koordinimin dhe Kontrollin e Sistemit për Financimin e Fondit të Garancive EAGGF;
• pjesëmarrjen në grupe të ndryshme të punës të BE-së, veçanërisht në lidhje me mbrojtjen e interesave financiare të BE-së dhe masave për të luftuar mashtrimin financiar.

Dr. Caldeira ka qenë anëtar i delegacionit Portugez të Komitetit Këshillues për Koordinimin e Parandalimit të Mashtrimit Financiar(OLAF) dhe Grupit të Përfaqësuesve të Ministrave të Financave për menaxhim të shëndoshë financiar (SEM 2000).

xx

Kontributi

Ndërkohë, ai kontribuoi si Këshilltar në OECD për Programin SIGMA (Mbështetje për përmirësimin në qeverisje dhe menaxhim në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore), duke punuar me Ministritë e Financave të Republikës Çeke në 1997, të Polonisë në 1998 dhe të Estonisë në 1999.
Dr.Vitor Caldeira iu bashkua Gjykatës Evropiane të Audituesve (ECA) në Mars 2000, si Anëtar i Gjykatës, përgjegjës, nga Marsi 2000 deri në fund të 2001, për auditimin e veprimtarive bankare të BE-së, përfshirë Bankën Qendrore Evropiane, Komunitetin Evrpian të Qymyrit dhe Çelikut (ECSC), Shkollat Evropiane, organet e decentralizuara dhe Agjensinë e Euroatomit.
Nga Janari 2002 deri në Mars 2006, Dr. Caldeira ishte përgjegjës për Deklaratën e Sigurisë së Gjykatës (DAS). Në këtë aftësi, ai punoi në fushat si besueshmëria e llogarive, ligjshmëria dhe rregullsia e transaksioneve themelore në fushat e ndryshme të të ardhurave dhe shpenzimeve të buxhetit të BE-së, reforma e sistemit të kontrollit të brendshëm të Komisionit Evropian dhe modernizimi i sistemit të kontabilitetit në BE.
Dr. Vitor Caldeira kontribuoi si Raportues për Opinionin e Gjykatës për modelin e vetëm të auditimit dhe propozimin për një kornizë të kontrollit të brendshëm të BE-së. Ai shërbeu si Dekan i Grupit të Auditimit të Gjykatës, përgjegjës për koordinimin e auditimit financiar, metodologjitë e auditimit dhe kontrollin e cilësisë (Grupi CEAD). Gjatë kësaj periudhe, ai ishte gjithashtu anëtar i Komitetit Administrativ të Gjykatës Evropiane të Audituesve. Nga Marsi 2006 deri në Janar 2008, Dr. Caldeira ishte përgjegjës për Zhvillimin e Auditimit dhe Raporteve (ADAR), në veçanti, kontrollin e cilësisë së raporteve të auditimit të Gjykatës dhe zbatimin e metodologjive të auditimit. Ai ka punuar gjithashtu si Raportues për Manualin e Auditimit të Performancës të miratuar nga ECA në vitin 2007 dhe si Auditues  i EUROSAI-t gjatë periudhës 2008-2010.

Gjatë mandatit të tij të parë si President i Gjykatës Evropiane të Audituesve (2008-2010), ai promovoi dhe menaxhoi një reformë të thellë në strukturën e Gjykatës dhe procesin e vendimmarrjes së saj, duke futur një sistem të dhomave, me synimin për të optimizuar menaxhimin e Gjykatës, duke e bërë atë më efiçient dhe efektiv.

Gjatë mandatit të tij të dytë (2011-2013), Dr. Caldeira e drejtoi institucionin në një periudhë gjatë së cilës raportet e auditimit të Gjykatës dhe opinionet mbi legjislacionin financiar morën një rëndësi edhe më të madhe, për shkak të krizës financiare botërore dhe nevojës urgjente për të ndihmuar në sigurimin e një administrimi më të mirë të fondeve të BE-së.

Për shkak të kontributit të tij në fushën e menaxhimit të financave të BE-së, 28 Anëtarët e Gjykatës Evropiane të Audituesve e rizgjodhën në vitin 2014 Dr. Caldeira-n si President të ECA-s për një mandat të tretë radhazi tre-vjeçar. Ai drejtoi raportimet gjithnjë e më efiçiente të audituesve të BE-së në Parlamentin Evropian mbi rishikimin e legjislacionit financiar, zhvillimin e raporteve vjetore speciale të ECA-s, raporteve speciale dhe raporteve të aktiviteteve dhe i dha një impulsit të ri gjetjeve dhe rekomandimeve të ECA-s nga auditimet financiare dhe ato të performancës.

Dr. Caldeira shërbeu si anëtar i Bordit Drejtues të Organizatës Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI). Ai ka mbikëqyrur me sukses performancën e punës së ECA-s dhe ka prezantuar institucionin në marrëdhëniet e tij të jashtme, duke rritur imazhin dhe ndikimin e ECA mes SAI-ve të vendeve candidate dhe aspirante për në BE, duke u ofruar atyre mbështetje përmes praktikave të ECA-s. Nën drejtimin e tij, ECA dëshmoi të jetë një nxitës i fortë i zhvillimit profesional të SAI-ve evropiane, veçanërisht të SAI-ve të vendeve kandidate dhe aspirante për në BE. Pjesëmarrja e ECA-s në auditime e përbashkëta ose të koordinuara me SAI-t e tjera në Evropë, por edhe në të gjitha Grupet e Punës dhe Task Forcat e EUROSAI-t, ka sjellë vlerë të shtuar në auditimet supreme publike në të gjithë Evropën.

xx

Dr. Caldeira dhe KLSH

Me 25 maj 2015, me rastin e 90 vjetorit të KLSH, Presidenti i atëhershëm i Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani i akordoi Presidentit të Gjykatës Evropiane të Audituesve, Dr.Vitor Caldeira medaljen "Për Merita të veçanta Civile ". "Gjykata Evropiane e Audituesve, - tha Presidenti Nishani gjatë kësaj ceremonie, - ka për mision të përmirësojë menaxhimin financiar të Bashkimit Evropian dhe të sigurojë që taksapaguesit evropianë janë duke shfrytëzuar sa më mirë paratë e tyre. Z. Caldeira ka kryesuar këtë Gjykatë për gjashtë vjet që nga viti 2008 dhe rezultatet e punës së tij janë të dukshme si në forcimin e marrëdhënieve të vendeve candidate dhe aspirante për në BE-së me institucionet e Bashkimit Evropian në përgjithësi, dhe me Institucionet Supreme të Auditimit dhe me Organizatën Ndërkombëtare të Auditimit EUROSAI në veçanti. Si President i kësaj Gjykate, Z. Vitor Manuel da Silva Caldeira ka dhënë kontributin e tij të vlefshëm në forcimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e praktikave të mira midis Institucioneve Supreme të Auditimit (SAI-ve) në Evropë dhe më gjerë ".

Më 26 maj 2015, me rastin e dhënies së titullit Honoris Causa nga Universiteti Shtetëror i Tiranës, Presidenti i ECA-s Caldeira theksoi se "Institucionet Supreme të Auditimit janë njohur si institucionet kryesore shtetërore për çdo demokraci funksionale. Kjo për shkak se SAI-të, n bashkëpunim me Parlamentet dhe botën akademike, luajnë një rol vendimtar në mbajtjen përgjegjëse të qeverive para qytetarëve dhe promovimin e qeverisjes së mirë publike dhe menaxhimit financiar. Ndërtimi i kapaciteteve për SAI-t nuk është detyrë vetëm për SAI-t e vendeve kandidate për në BE. Të gjitha SAI-t duhet të punojnë për të ndërtuar aftësi për t'u përshtatur me ndryshimet globale që ndodhin në shoqëri dhe qeveri. Shtetet pritet që më shumë se kurrë të ofrojnë shërbime më komplekse për qytetarët e tyre në mënyra të ndryshme. Kjo është e vërtetë për të gjitha shtetet anëtare të BE-së dhe jam i sigurt se ky është rasti edhe me Shqipërinë. Tani që qeverisja dhe financat publike janë bërë më moderne, detyra e auditimit të këtyre veprimtarive do të bëhet edhe më e kërkuar. Kjo gjithashtu do t'i japë SAI-ve një mundësi për të formuar më mirë ndryshimet në qeverisjen publike. Në veçanti, ne japim shembullin për çështje të tilla të rëndësishme si forcimi i përgjegjshmërisë demokratike, transparencës dhe angazhimeve të auditimit publik. Si një komunitet i SAI-ve, është thelbësore që të gjithë të ndihmojmë njëri-tjetrin duke shkëmbyer përvojën tonë, duke vazhduar të zhvillojmë standardet tona profesionale dhe në rastin e BE-së dhe vendeve kandidate, duke koordinuar punën tonë të auditimit”.

Gjykata e Auditit e Portugalisë (Tribunal de Contas), një nga institucionet më të zhvilluara evropiane të auditimit, u themelua në formën e saj të tanishme në vitin 1849 dhe feston këto ditë Jubileun e 170 Vjetorit. Që nga tetori i vitit 2016, SAI i Portugalisë udhëhiqet nga Dr. Vítor Manuel da Silva Caldeira, një personalitet i shquar i auditimit të lartë publik evropian dhe një kontribues themelor në reformimin e sistemit të llogaridhënies së BE-së, si dhe një mik dhe partner i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Është në emër të auditorëve shqiptarë që ia kushtoj këtë shkrim këtij personaliteti të shquar dhe unik të auditimit publik evropian, mik i madh të Shqipërisë dhe KLSH-së.