Auditues të Teknologjisë së Informacionit të KLSH-së zhvillojnë një takim me një grup audituesish nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës.

01.03.2019

Në datat 28 shkurt dhe 01 mars 2019, një grup audituesish të Teknologjisë së Informacionit nga Zyra Kombëtare e Auditimit nën udhëheqjen e Ndihmës Auditores së Përgjithshme znj. Vlora Spanca dhe Drejtorit të Departamentit të Auditimit të Performancës dhe të Teknologjisë së Informacionit z. Samir Zymberi, morën pjesë në një takim për Auditimet e Teknologjisë së Informacionit në ambientet e Kontrollit të Lartë të Shtetit. KLSH u përfaqësua në këtë takim nga një grup audituesish nën udhëheqjen e Drejtorit të Departamentit të Auditimit të TI-së z. Kozma Kondakçiu.

kosova Zv/Kryetarja e KLSH dhe njëkohesisht Drejtoresha e Përgjithshme znj. Lindita Milo, përshëndeti takimin dhe u uroi mirëseardhjen pjesëmarrësve. Në fjalën e saj znj. Milo theksoi se ndarja e eksperiencave të ngjashme në fushen e auditimit të teknologjisë së informacionit ndihmon audituesit në krijimin praktikave të mira në auditimin e sistemeve të teknologjisë informative dhe mbështetjen e një qasjeje inovative të auditimit të TI-së.

Në ditën e parë të takimit znj. Spanca prezantoi mënyrën e organizimit të Departamentit për auditimet e TI-së në ZKA, punën e deritashme dhe përbërjen e stafit. Në fjalën e saj znj. Spanca theksoi se nga ana e Zyrës Kombëtare të Auditimit është bërë një punë e dobishme në rekrutimin e audituesve të Teknologjisë së Informacionit dhe trajnimin e tyre me qëllim realizimin e auditimeve cilësore dhe të mbështetur në standardet ndërkombëtare. Më pas fjalën e mori z. Samir Zymberi, i cili prezantoi auditimet e Teknologjisë së Informacionit të realizuara nga ZKA dhe mbështetjen e audituesve IT në Auditimet e Performacës apo Rregullshmërisë.

Nga ana e KLSH, fjalën e mori Drejtori i Departamentit të Auditimit të TI-së z.Kozma Kondakçiu, i cili prezantoi organizimin e Departamentit të Auditimeve të IT në KLSH, stafin dhe punën ndër vite në auditimet e TI-së. Më pas fjalën e mori z. Meald Habazaj, auditues, i cili bëri një demostrim të Manualit Aktiv të Auditimit IT, mjet i cili ka si objektiv kryesor vendosjen në praktikë të “Manualit WGITA - IDI mbi Auditimin e IT-së për Institucionet Supreme të Auditimit", i cili ndihmon audituesin  me informacione thelbësore për të planifikuar një auditim të IT-së, mbledhjen e gjetjeve dhe shkëmbimin e njohurive.
Në ditën e dytë të takimit fjalën e mori z. Aldo Kita, auditues dhe Përgjegjës i Sektorit të TI-së në KLSH, i cili prezantoi ekperiencën e auditimit të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit për platformën e-Albania, metodat, standardet e përdorura dhe gjetjet kryesore të auditimit. Më pas znj. Elsona Papadhima, audituese, mbajti një prezantim mbi “Audituesit IT, si mbështetës në auditimet e Performancës, Përputhshmërisë dhe Financiare” me fokus kryesor përdorimin e teknikave CAAT, analizimin e të dhënave dhe metodat visualizuese.
Në përmbyllje të takimit dy ditor të dyja palët diskutuan mundësitë për të realizuar auditime të përbashkëta në fushën e Teknologjisë së Informacionit me përfitime të ndërsjellta.

Të dy ditët e takimit u ndoqën me shumë interes, ku u shkëmbyen përvojat në zbatimin e standardeve ndërkombëtare të auditimit publik dhe praktikave të ndryshme në fushën e auditimit të Teknologjisë së Informacionit.

Kjo vizitë i shërben thellimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, si dhe shkëmbimit të përvojave në nivel praktik dhe teknik në fushën e Auditimit të Teknologjisë së Informacionit.
Gjatë takimit nuk munguan pyetjet, sugjerimet dhe ndarja e eksperiencës midis palëve pjesëmarrëse.