Auditues të KLSH ndjekin webinar-in e OECD me temë “Anti-korrupsioni dhe Integriteti

13.05.2020

Në datën 13 Maj 2020, punonjës të KLSH-së ndoqën online webinar-in e organizuar nga OECD me temë: “Anti-korrupsioni dhe Integriteti: Masat parandaluese për një reagim të shpejtë dhetë qëndrueshëm ndaj situatës së krijuar prej COVID-19”

Moderatori Axel Threlfall, editor në Reuters, e nisi këtë webinar duke shpjeguar se kriza COVID-19 krijon mjedise të tilla në të cilat shtohen risqet për korrupsionin, ndikime në vendimmarrje dhe në vepra të paligjshme. Këta faktorë mund të rrezikojnë jetën e qytetarëve, të shtrembërojnë tregjet dhe konkurrencën, të devijojnë burimet jetësore të kujdesit shëndetësor dhe të ulin besimin e qytetarëve ndaj qeverisë. Si risqet afatshkurtra ashtu dhe ato afatgjata të korrupsionit dhe integritetit mund të lindin në prokurimet e emergjencës, masat e ndërruara për rimëkëmbjen ekonomike dhe transaksionet ndërkombëtare të biznes. Gjatë këtij webinar-i, u diskutua rreth mënyrës se si qeveritë dhe bizneset duhet t’i adresojnë këto rreziqe të sipërpërmendura dhe si të ruhen rregullat ligjore, integritetin publik dhe etikën e biznesit.

Webinar-in e hapi z.Jeffrey Schlagenhauf, Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i OECD, i cili e orientoi prezantimin e tij në disa drejtime duke i dhënë përgjigje pyetjeve:
-  Cila është mënyra më efikase që qeveritë të adresojnë qartë problemin e korrupsionit gjatë kohës së pandemisë?
-  Si kryhet kontrolli i llogaridhënies dhe mbikëqyrja e paketave të ndihmës së emergjencës, vështirësitë e shumta që SAI-t hasin gjatë kryerjes së kontrollit në kohën e pandemisë dhe vështirësitë në publikimin e raporteve?
- Sa e rëndësishme është ruajta e parimit të shtetit të së drejtës në kohën kur Qeveritë ndërmarrin masa në kuadër të gjendjes së jashtëzakonshme?
-  Si arrihet sigurimi i integritetit në procesin e prokurimit publik dhe sfidat e mbajtjes së korrupsionit jashtë këtij procesi, veçanërisht për blerjet e emergjencës.

Gjithashtu një nga temat që u prek ishte edhe kultura e integritetit lidhur me biznesin, mbrojtja e atyre që denoncojnë korrupsionin dhe mbrojtja e media-s.
Më pas, panelistja znj. Anne Rivera, Drejtuese e Qendrës për Kontratat dhe Prokurimet dhe e Qendrës së Përputhshmërisë në Departamentin e Punëve të Jashtme të Zvicrës dhe bashkë kryetari i Grupit të Punës të OECD për integritetin e Zyrtarëve të Lartë Publik në prezantimin e saj u fokusua më së shumti tek procedurat e prokurimit dhe  kontratat e lidhura gjatë  pandemisë. Sfida më e madhe është që qeveritë të ndodhura para situatave emergjente të cilat kërkojnë sigurimin në kohë të shkurtër të medikamenteve, materialeve dhe aparaturave mjekësore nuk munden të aplikojnë të gjithë mekanizmat mbrojtëse të cilat ulin ose minimizojnë  rastet e korrupsionit, mashtrimit dhe shpërdorimit të fondeve publike. Ndaj për këtë është e rëndësishme që ti kushtohet vëmendje konkurrencës reale të tregut. Ajo theksoi në këtë situatë emergjence një rol të rëndësishëm duhet të luajnë Institucionet Supreme të Auditimit të cilat duhet të luajnë rolin e këshilltarit për institucionet që prokurojnë mallra dhe shërbime në kohë emergjence pasi auditimi pas faktit nuk parandalon korrupsionin i cili në situata të tilla ka gjasa të jetë më i madh.

Më pas fjalën e mori z.Drago Kos, Kryetari i Grupit të Punës të OECD për Korrupsionin Aktiv i cili e nisi prezantimin e tij me shprehjen “Kjo pandemi është parajsë për korrupsionin” . Meqenëse qeveritë po kryejnë procese në kushte emergjence, fondet për të përmbushur këto procese janë nën kërcënim të hapur. Ai vijoi me prezantimin e tij duke u fokusuar më tej në riskun e rritjes së korrupsionit për shërbime nga operatorët ekonomike, për pajisje që janë difektoze ose që paguhen por nuk mbërrijnë asnjëherë në destinacion. Konstatohet  gjithashtu se  qeveritë po e shmangin menaxhimin e riskut nga profesionistët. Ndaj, një rëndësi të veçantë tani merr mbrojtja e bilbil-fryrësve dhe pavarësia e mediave. Ai theksoi se vetëm transparenca e plotë e procedurave të prokurimit minimizon kushtet e korrupsionit dhe mashtrimit, duke sjellë si shembull Ukrainën e cila ka bërë transparente përdorimin e çdo fondi të përdorur gjatë pandemisë covid 19.

Më pas znj.Barbara Trionfi, Drejtor Ekzekutiv, Instituti Ndërkombëtar i Shtypit, vijoi me prezantimin e saj duke u thelluar më tej në çështjen e mediave. Meqenëse qeveritë vendosën masa për të parandaluar virusin, liria e medias ishte në rrezik dhe pati sulme ndaj gazetareve. Ajo shfaqi shqetësimin se Qeveritë kanë bërë përpjekje të kontrollojnë median duke qenë vetë përçuese  direkt të mesazheve të tyre duke sjellë shembullin e Hungarisë e cila  kufizoi lirinë e medias ligj.

Webinari u ndoq nga Drejtori i Auditimit të Brendshëm z. Hasanbelliu dhe audituesit znj. Haxhia, znj. Meçaj, znj. Elezi, z. Xhuveli dhe znj. Shehu.